Kaluan ditë, javë e muaj që nga fillimi i vitit shkollor dhe shkronjë pas shkronje, nxënësit e klasës së parë arritën të mësojnë shkrim e lexim, duke hapur kështu shtigjet e diturisë.
Dijen e arritur për 9 muaj, të vegjlit e klasës së parë të shkollës fillore ”Tefik Çanga” në Ferizaj, e festuan me një program kulturo-artistik të cilin e shfaqën para të pranishmëve, që kryesisht ishin prindër e gjyshër.
Drejtori i kësaj shkolle Basri Hasani, tha se kjo ngjarje mjaft me peshë, nuk mund të kalonte pa u shënuar.
“Sot është një ditë pak më e veçantë për arsye se nxënësit e klasave të para po mbarojnë mësimin e shkronjave dhe kanë përmbyllur një etapë të rëndësishme në jetën e tyre shkollore dhe prej tash këta nxënës do dinë të shkruajnë dhe të lexojnë dhe kjo është e rëndësishme, prandaj ‘’Festa e Abetares’’ është një ditë e veçantë për shkollën pasi po fillon një etapë tjetër e fëmijëve dhe natyrisht ne nuk e lamë pa e festuar”, tha Hasani.
Ndërsa, mësuesja Elife Rama, e cila ka më shumë se 40 vite që punon me nxënës dhe kjo është gjenerata e fundit që do ta përcjell para se të pensionohet, tha se ndjehet e lumtur që pak para përfundimit të profesionit, bashkë me nxënësit e saj po feston ‘’Festën e Abetares’’.
“Kemi mbaruar para dy dite alfabetin e gjuhës shqipe, kam në klasë 34 nxënës të gjithë janë me sukses të shkëlqyeshëm dhe sot po festojmë festën pasi e meritojnë fëmijët, por edhe më vjen mirë që e arrita me festu sot me këtë gjeneratë ‘’Festën e Abetares’’ pasi jam në prag të pensionimit, edhe dy vite dal në pension dhe mirë që e arrita këtë, unë jam prej vitit 1975 ose 42 vite punë, kam kalu shumë gjenerata dhe tani ka ardhur radha me i mësu fëmijët e nxënësve të mi dhe vazhdoj ta kem po atë vullnetin e mëparshëm, me dëshirë kisha punu deri në moshën 70 vjeçare”, tha Elife Rama.
Aktivitetin e fëmijëve të tyre me plot emocione e përcollën prindërit, të cilët thanë se nuk ka gjë më të bukur sesa të shohin suksesin e fëmijës kur përfundon abetaren.
“Është ndjenjë e papërshkruar, një emocion i jashtëzakonshëm dhe po e ndejmë ngrohtësinë e këtyre fëmijëve, mësuesja është shumë punëtore fëmijët shkojnë me vullnet në shkollë”, tha Miriana Sabedini.
“Festa e Abetares” si manifestim tradicional, ka filluar të shënohet në vitin 2009.