Dy autoambulanca me pajisje mjekësore i janë dhuruar Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj nga Ekipi i Urgjencave të Spitalit “Interlaken, Frutigen dhe Meiringen” nga Berni i Zvicrës.
Drejtori i Ekipit të Urgjencave në këtë spital Martin Hofer, tha se shpreson që këto dy autoambulanca do t’u shërbejnë pacientëve ferizajas.
“Këto autoambulanca dhe pajisje që janë brenda saj do të jenë për popullatën dhe jo për personelin, pasi personeli i përdorë, por popullatës i nevojiten pasi më personel nuk ka dhe pa mjete personeli nuk mund të bëj asgjë dhe ne jemi shumë të kënaqur që kemi pasur mundësi me i sjellë këto autoambulanca”, tha ai.
Iniciatori i këtij donacioni Sami Bajrami, tha se ndihet mirë që ky donacion ka ardhur në Ferizaj pikërisht me iniciativë të tij.
“Kam punu në të njëjtin spital me zotëriun dhe ky zotëri ka ardhur këtu dhe ka kaluar 800 kilometra për me mujt me i sjellë këto autoambulanca që shihen sot këtu, përveç kësaj këtë donacion e kemi sjell me zemër dhe nuk krahasohet as vlera as asgjë”, tha Sami Bajrami.
Këtë donacion e mirëpritën edhe drejtues të shëndetësisë në këtë qytet. Ata vlerësuan se këto autoambulanca kanë qenë tepër të nevojshme për pacientët e këtushëm.
“Sot jemi këtu për të pranuar një donacion nga Zvicra dy autoambulancat më të gjitha pajisjet që i përkasin emergjencës dhe vlera e tyre është e madhe dhe ne falënderojmë mikun tonë zviceran dhe bashkatdhetarin tonë Sami Bajramin që ka bërë që ne sot të pajisemi me këto dy autoambulanca”, tha Besnik Berisha drejtor i DSHMS.
“Do të hyjnë në funksion edhe të një projekti për avancimin e shërbimit emergjent në Ferizaj. Këto ambulanca shumë shpejt do të jenë në terren dhe do të nisen nga një qendër e thirrjes dhe do të mundësojnë që shumë më shpejt të jenë tek pacienti dhe minutat e shpëtimit do të jenë shumë më efiçiente” tha Asllan Bajrami, drejtor i QKMF-së.
Ndërsa, shefi i Autoparkut në QKMF, tha se këto autoambulanca ua lehtësojnë mjaftë shumë punën.
“Me këto autoambulanca na u lehtësohet puna që të jemi më afër aksidenteve e pacientëve dhe me këto kemi bërë avancim më të madh”, tha Agon Zeqiri.
Për këtë donacion është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimit, i cili parasheh që shpenzimet e transportit të mbulohen nga komuna e Ferizajt.