“Universiada 2018”, quhet aktiviteti i cili sot u zhvillua në kolegjin “Universum” në Ferizaj. Në këto gara diture ku morën pjesë shkollat fillore të Ferizajt, Kaçanikut dhe Vitisë, u përfshinë 400 nxënës të klasave të pesta dhe të nënta. Për më të suksesshmit e kësaj gare, kolegji ‘’Universum’’ do të ndajë rreth 50 bursa shkollore të cilat sipas niveleve janë prej 50-75% zbritje dhe pesë nxënësit më të mirë do ta kenë një vit shkollor falas në këtë kolegj.
Drejtues të kolegjit ‘’Universum’’ thanë se ky format i garave ka për qëllim që të mbjell frymën garuese tek të rinjtë e shkollave fillore dhe të bëhet një rifreskim i njohurive që ata kanë marrë nëpër shkollat ku vijojnë.
“Kjo garë është organizuar si përcjellje e vazhdimësisë së garave të mëhershme në nivel të Republikës së Kosovës që më herët organizonte ‘’Universum’’ dhe ka kuptimin nxitjen dhe ofrimin e frymës garuese tek nxënësit. Siç e dini jemi gati në përfundim të vitit shkollor dhe kjo garë është një stimulim për t’i përsëritur edhe njëherë njohuritë dhe dituritë e marra nëpër shkollat e tyre,” tha Sedat Berisha.
Mësimdhënësit e shkollave pjesëmarrëse në këto gara, vlerësuan se aktivitetet e këtij lloji janë të mirëseardhura për nxënësit për t’i sfiduar ata sa i përket lirshmërisë nëpër testime.
“Këto gara në përgjithësi janë të mirëseardhura për nxënësit jo vetëm për t’i përcjellë ato dituri çfarë i kanë arritur, por edhe një shkëmbim mendimesh. Ne besojmë që në të ardhmen gara të tilla të bëhen më shpesh edhe nga të tjera institucione”, tha mësuesi Hamdush Krasniqi nga Kaçaniku.
“Ne herë pas here edhe brenda shkollës organizojmë gara të ndryshme, por kjo është një sfidë shtesë për nxënësit, sepse është një mundësi e mirë për ta provuar veten para sfidave të tjera që do t’i vijnë në jetë për teste të diturisë. Është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të fituar bursë, por për t’u provuar si fëmijë për të ardhmen me qenë pak më të lirshëm, sepse ne e shohim që këta i frikohen shumë testimeve prandaj është mirë që t’i shohim edhe jashtë shkollës si gjenden ata”, tha Besa Jahiu-Reçica nga shkolla “Jeronim de Rada” në Ferizaj.
Ndërkaq, për disa nxënës pyetjet e këtij testi nuk ishin të vështira.
“Unë e përfundova, shumica e pyetjeve mu dukën të lehta, tri pyetje nuk arrita me i përfundu sepse nuk kisha ide për përgjigjet prandaj nuk humba fare kohë me to. Përndryshe këto gara janë shumë të qëlluara për ne nxënësit dhe urojmë që të fitojnë më të mirët”, tha Eroleta Dërguti.
“Edhe për mua pyetjet nuk qenë të rënda, kujtoj që ia kam dalë dhe do të jem një fitues për bursë“, tha Eros Kurtaliqi.
U tha se rezultatet e kësaj gare do të shpallen pas një jave.