Në hapësirat e shkollës “Tefik Çanga’ në Ferizaj, është mbajtur turneu ndërkombëtar në ping-pong “Ahmet Hoxha”, pjesë e të cilit ishin afër 100 garues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Hapjen e këtij turne njëditor e bëri kreu i komunës Agim Aliu, i cili duke u zotuar se do të përkrahë turne të tilla, tha se ndihet i privilegjuar që e ka njohur nga afër heroin Ahmet Hoxha.
“Unë kam disa vite jetë, por kam pasur fatin të jem afër tij si nxënës në kuadër të shkollës që sot quhet ‘’Zenel Hajdini”, ka qenë privilegj jo vetëm i imi, por edhe i gjithë qytetarëve të Ferizajt, ka qenë privilegj i bashkëluftëtarëve e veprimtarëve të tij, por mbi të gjitha është privilegj sot edhe i gjithë kombit shqiptar që ka pasur një djalë, një bir të kombit, një profesor, ka pasur një intelektual i cili nuk ishte i rastësishëm në vijën kombëtare e politike për çlirimin e vendit”,tha Aliu.
Jeton Beqiri, kryetar i klubit të ping-pongut “Ahmet Hoxha”, klub ky i cili ka bërë edhe organizimin e këtij turneu, tha se heroi Ahmet Hoxha, që ishte profesor i edukatës fizike, ka qenë personi i cili ka bërë që ky sport të zhvillohet në Ferizaj.
“Qëllimi i këtij turneu është të përkujtojmë heroin e Kosovës Ahmet Hoxha dhe klubi jonë nga Ferizaj është klubi i vetëm i ping-pongut që e promovon ping-pongun në Ferizaj e mban emrin e heroit dhe kjo na bënë me u ndi shumë krenar pasi ne e kemi trasu rrugën e tij, ai ka qenë një prej personave në vitet e 90 –ta që ka fillu me zhvillu ping-pongun dhe pas rënies së tij ne kemi vazhdu me vullnet të madh e kemi trashëgu dhe në këtë formë tentojmë ta lartësojmë emrin e tij në të ardhmen”,tha Beqiri.
Skënder Haruni nga klubi i ping-pongut “Skëndërbeu” nga Korça, tha se në këtë turne po marrin pjesë për ta nderuar jetën dhe veprën e heroit Ahmet Hoxha.
“Këtu jemi për të nderuar dëshmorin Ahmet Hoxha dhe si zakonisht çdo vit jemi të respektuar nga klubi i Ferizajt, është kënaqësi për ne, po ndjehemi të respektuar, është një traditë shumëvjeçare që gjithmonë na jep emocione”, u shpreh Haruni.
Ndërsa, bashkëshortja e heroit Ahmet Hoxha, Fevzie Hoxha, tha se ndjehen të nderuar që ky turne po bëhet madhështor çdo vit e më shumë .
“Nderë dhe krenari për neve, unë si bashkëshorte e Ahmet Hoxhës jam krenare që pata një bashkëshort të tillë, ky turne memorial që organizohet çdo vit për Ahmetin i falënderoj të gjithë që marrin pjesë. Jam krenare se ka qenë një bashkëshort i cili ka pasur ideale të mëdha dhe ia arriti qëllimit”, theksoi Hoxha.
Turneu i sotëm memorial ndërkombëtar në ping-pong është i 19-të me radhë, ndërsa organizatorët thanë se nga tani kanë filluar përgatitjet për turneun e 20-të, i cili sipas tyre, do të jetë masovik.