Kanë kaluar një vit që kur komuna e Ferizajt kishte nisur rregullimin e rrugës “Halil Alidemaj”, e cila ndodhet afër qendrës së qytetit, por edhe pas një viti gjendja e kësaj rruge është e tillë. Banorët ankohen se përveç që nuk u rregullua, kjo rrugë u bë edhe më keq pas nisjes së punimeve për vendosjen e rrjetit të kanalizimit, i cili edhe sot e kësaj dite nuk u përfundua.
‘’Gjendje shumë katastrofale, kjo është një punë që po shihet, mirëpo këtë rrugë pushteti i kaluar e kishte filluar gjoja se me punu diçka, po në fakt asgjë nuk është bërë, është dashur kanalizimi të vendoset pastaj të rregullohet rruga, por në atë drejtim kanë ngecur dhe realisht nuk e dimë se ku ja ka dhanë që nuk po vazhdon kjo rrugë me u rregullu kur dihet se është në qendër dhe me qenë kështu në gjendje të mjerueshme”, tha Azem Tahiri, banor i rrugës “Halil Alidemaj”.
“Na kemi problem shumë vjet me rrugë, para lufte e kemi shtru vetë, tash asnjë kryetar nuk ka ardh me na ndihmu, së pari kemi problem me kanalizim i cili mbyllet shpesh, filluan me punu, e çelën dallash e lanë në gjysmë, Gafurr Ilazi e ka ba kta, kurrë nuk i ka dhënë prioritet edhe pse jemi në qendër të qytetit’,tha Raif Beqa, banor i rrugës “Halil Alidemaj”.
“I lutem zotëri kryetarit, votat ja kam dhanë, 7 vota ja kam dhënë për me hi kryetar edhe sot le të vjen këtë rrugë le të na e shtron, shtëpitë e tona krejt lloç, lajë sa dush, gropa plot nuk po mujnë me dalë fëmija te dera. Kanalizimi drejt me shtëpi time, nuk kishim ka me dalë, rashim n’ta, kur po i shoh një ditë erdhën edhe shkun menjëherë, thanë nuk po mundemi me ndreq, ju thashë nëse bjen naj kush në këto gropa kush jep përgjegjësi, mandej e kam thirr policinë edhe kanë ardh kur e kanë pa gropën katër metra thanë nuk paske pas faj”, tha Rufie Sherifi, banore e rrugës “Halil Alidemaj”.
Ndërsa, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Arbër Bytyqi, tha se për këtë rrugë shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje.
“Ne si qeverisje kemi trashëguar një projekt të ritenderimit për këtë rrugë në vlerë diku 34 mijë euro, unë kam marrë masa dhe kemi bërë projektimin e ri për këtë rrugë dhe kemi shpallur faktikisht projektin në vlerë 154 mijë euro, është në Zyrën e Prokurimit dhe janë në fazat përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes nga Zyra e Prokurimit dhe besoj që është lajm i mirë edhe për banorët e kësaj rruge se më në fund do të bëhet një zgjidhje sa i përket kësaj rrugice. Nuk kemi me e lënë në gjysmë dhe jo vetëm këtë projekt, por të gjitha projektet tjera pasi shumica janë vetëm të filluara ne do t’i përfundojmë të gjitha që janë të filluara dhe do të përfundojnë ashtu siç duhet me parametra teknik”, tha Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës.
Përveç asfaltimit të rrugës rreth 600 metërshe, u bë e ditur se aty do të përfundohet edhe kanalizimi fekal dhe atmosferik.