Shoqata humanitare “Feniks”, sot ka përuruar shtëpinë e parë për këtë vit. Përfituese e kësaj shtëpie është familja tetë anëtarëshe e Abaz Krasniqit nga fshati Qallapek i komunës së Lipjanit. Iniciatorja për ndërtimin e kësaj shtëpie për familjen Abazi, Flora Gashi, tha se duke e parë gjendjen e rëndë në të cilën jetonte kjo familje, ka vendosur të kërkoj ndihmë për të.
“Iniciativa ka filluar kur Zana Krasniqi, e zonja e shtëpisë, ka filluar të kërkoj ndihmë nëpër grupe të ndryshme në rrjete sociale, një vit rresht ka kërkuar ndihmë, por nuk e ka përkrah askush, as komuna, as ndonjë njeri dhe vendosa me ardhë me vizitu dhe e pashë gjendjen se ku jetonin dhe bashkë me shoqet e mija kemi lobu nëpër grupe të ndryshme dhe donatorë që kemi hasur është një grup nga Suedia”, tha Gashi.
Ndërsa, donatori Avdullah Krasniqi, tha se humanizmin do ta vazhdoj edhe më tej.
“Ndjenjat janë shumë të mira kur një familje gëzohet dhe së bashku me dy shokë të tjerë mundohemi të ndihmojmë familje dhe kur ke vetë fëmijë e kupton edhe gjendjen e të tjerëve”,theksoi Krasniqi.
Kryetari i shoqatës “Feniks”, Milaim Jashari, tha se tashmë kanë vënë gurthemelin edhe për disa shtëpi dhe kjo po bëhet falë njerëzve të vullnetit të mirë.
“Kemi shtëpinë e dytë që do ta lëshojmë në Shqipëri ku motrat tona nga Suedia dhe diaspora kanë grumbulluar 14 mijë e 500 euro dhe shumë shpejtë do të gëzohet edhe ajo familje si kjo sot, po ashtu “Eli-Abi” ka filluar edhe dy shtëpi të tjera, po ashtu edhe katër të tjera është duke i marrë për me i ndërtu, unë i falënderoj të gjithë donatorët që na përkrahin dhe këtë besim e kemi fituar me punë dhe vepër e jo me fjalë”, u shpreh Jashari.
Falënderues ndaj kontribuuesve që e bën me shtëpi të re u shpreh kryefamiljari Abaz Krasniqi, i cili tha se me forca të veta asnjëherë nuk do të mund ta ndërtonte këtë shtëpi.
“Falë donatorëve, bamirësve u bëra me shtëpi të re dhe jam i kënaqur, falënderoj Zotin së pari, mandej Flora Gashin e cila ka qenë dy herë na ka vizitu e ka pa gjendjen, unë me një social nuk kisha mundur kurrë me pa kësi shtëpie, falënderoj të gjithë, Avdullah Krasniqin, po ashtu edhe “Feniks”-in, që ka dhënë kontribut në ndërtim dhe nuk ka kursy asgjë”,tha Krasniqi.
Shoqata humanitare “Feniks”, vetëm gjatë vitit të kaluar ka ndërtuar 24 shtëpi, ndërsa që nga themelimi kjo shoqatë ka bërë me kulm mbi kokë 223 familje.