Problemet në shëndetësinë ferizajase nuk kanë të ndalur. Edhe më tej në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Ferizaj, po vazhdon problemi me furnizim të insulinës. E, ata të cilët po përballen me një gjendje të tillë janë insulinëmarrësit, siç është Sherif Aliu nga fshati Greme, i cili thotë se ka afër 6 muaj që çdo ditë troket në derën e barnatores së QKMF-së për të marrë insulinë, mirëpo në shtëpi kthehet duarthatë.
“Një javë ditë i banë një fyshtë, 9.50 cent e blej një, i çojnë nëpër barnatore i shesin, neve nuk na i binë, dikush nuk ka me i ble, pa të nuk jetohet, që 6 muaj nuk na kanë pru, unë e përdori Novomix, ka tjetër zëvendësim, por pa rekomandim të mjekut, mjeku qeta ma ka dhanë qeta e marrë, për çdo ditë vijmë vesim, por nuk ka, dy herë në ditë e marrë”, tha Aliu.
Ndërsa, në barnatoren e QKMF-së në Ferizaj, fajësojnë Ministrinë e Shëndetësisë që, sipas tyre, nuk po e furnizon mjaftueshëm me insulinë këtë institucion.
“Janë diku 861 pacientë deri më tani me Novomix që është problem i theksuar, në Ferizaj janë 527 pacientë, ndërsa muajin e kaluar jemi furnizu me 290 insulina vetëm me Novomix dhe i bie një përqindje shumë e vogël që na mundemi me ua shpërnda pacientëve dhe kemi ardhur me një shpërndarje proporcionale, momentin që shpërndajmë insulina tek disa pacientë, muajin tjetër kemi me shpërnda tek pacientët e tjerë, edhe është shumë reale që pacientët kanë të drejtë m’u anku, ne e kemi bërë kërkesën, nuk është mungesë e kërkesës, por është vetëm furnizim i Ministrisë, po ashtu vërehet një dukuri që prej Gensulinës kanë kalu tek Novomix, që është insulina e njëjtë, por vetëm që është firmë tjetër, ne kemi në stok Gensulinë, por pacientët nuk e marrin pa rekomandim të mjekut”, tha farmacistja Besa Goga.
Përveç insulinës që pacientët detyrohen ta blejnë nëpër barnatore private, në klinika pritave obligohen të shkojnë edhe ata të cilët kanë nevojë për aparate të rëntgenit, edhe pse në QKMF ekzistojnë dy aparate të tilla, por njëri nga ta ka 9 muaj që është jashtë funksionit, ndërsa tjetri nuk e kryen funksionin e plotë.
“Është në procedurë të blerjes së tubit të ri, pasi tubi i vjetër është i pa riparueshëm dhe është një pjesë që kushton shumë, dhjetëra mijë euro dhe për shkak se është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme, dy-tri ekipe janë mundu me përmirësu, por nuk kanë qenë të akredituar, por vetëm ndoshta të vullnetit të mirë dhe për këtë është lënda në organet e hetuesisë, kurse në anën tjetër përmes procedurave për inicimin për blerjen e gypit të ri aktualisht është në procedurë tenderuese, kjo sa i përket rëntgenit manual, kurse sa i përket rëntgenit digjital në Qendrën Emergjente tonën aktualisht nuk ka filma, por janë kryer procedurat e tenderimit dhe vetëm sa nuk kanë ardhur filmat, aktualisht punon me imazhe dhe imazhet i përshkruan specialisti”,tha drejtori i QKMF-së Asllan Bajrami.
Për gjithë këto probleme udhëheqës të këtij institucioni shëndetësor fajin ia hedhin Ministrisë së Shëndetësisë, e cila sipas tyre, ka ndarë 120 mijë euro për një periudhë 6 mujore, ku në kuadër të kësaj shume, ndër të tjera, parashihet edhe blerja e barnave.