Reshjet e shumta të shiut të përcjella me breshër dhe erë të fortë, shkaktuan dëme materiale edhe nëpër objekte të ndryshme banimi. Sasia e madhe e ujit që ka depërtuar nëpër bodrume të shtëpive dhe vendpunishteve, ka shkaktuar dëme në mjete amvisërie, por edhe në ato pune. Pasditen e së shtunës probleme me kanalizim patën banorët e rrugës ‘‘Kemajl Hetemi’’ në Ferizaj. Ata ankohen se nga uji i kanalizimit u janë përmbytur bodrumet.
“Uji vike prej kanalizimit, boll e mushum me tepia, po u mshelë kanalizimi prej nalti rrugës vike, këtu u mush, unë 73 vjet i kam, breshër ka pas, ka zgjatë 10-15 minuta një rraptimë ja ka dhanë, ka pas breshër kokrra të mdhaja po me zgjatë kështu 55 minuta se e kishin shiku do djem të kojshive orën, kështu s’ka ba vaki”, tha Emine Mustafa.
Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës Arben Halili, tha se problemet në rrjetin e kanalizimit janë shkaktuar nga lidhjet private që janë bërë në sistemin e kanalizimit nga disa qytetarë.
“Sa i përket kanalizimit vetëm dje kanë filluar me u zbrazë, pasi reshjet kanë qenë shumë të mëdha edhe kryesisht i kemi identifiku, por edhe më herët kemi pasur identifikim të këtyre problemeve dhe gradualisht në të ardhmen do të vazhdojmë për me mendu se si me bë zgjidhjen e këtyre kanalizimeve, duhet me potencua se nuk është vetëm problemi i komunës që ka shkaktu probleme në kanalizim, kemi problem edhe me lidhje private në sistemin e kanalizimit nga qytetarë të ndryshëm, lagje të ndryshme që janë lidhë drejtpërdrejt dhe nuk janë në paramasat e standardet e caktuara, tash e kemi një fluks më të madh të rritjes së qytetarëve në Ferizaj dhe duhet me mendu për të ardhmen që të rritet diametri i këtyre kanalizimeve” , tha Halili.
Sa i përket kualitetit të ujit të pijes në Ferizaj, pas shiut të rrëmbyeshëm, ushtruesja e detyrës së drejtorit në kompaninë e ujit dhe kanalizimit “Bifurkacioni” Zylfije Hyseni, tha se uji në Ferizaj është cilësor dhe i pijshëm.
‘’Furnizimi me ujë, problem kemi pasur në zonat rurale në sistemin e Muhocit dhe Kosinës ku përveç pompave ka pasur problem edhe me rrymë ku ka ndikuar tek pompat, pjesa e qytetit ka qenë mirë ngase reshjet e furishme nuk kanë qenë në zonën e fabrikës, ka qenë një furnizim i kënaqshëm, por ka qenë një shfrytëzim ekstrem i ujit për pastrim nga ana e qytetarëve, sipas nevojave që janë krijuar tek ta, ndërsa tek cilësia e ujit në zonën urbane që furnizohet nga fabrika nuk ka ndikuar asgjë kjo situatë, te zona rurale nuk kemi pas problem me kualitet përveç që është ndërprerë furnizimi si në Varosh, uji i pijshëm është i sigurt padyshim”,tha Hyseni.
U bë e ditur se probleme me rrjetin e kanalizimit pati edhe nëpër disa fshatra të Ferizajt.