Shënohet 20 vjetori i sulmit në postbllokun e Gërlicës

0

Me dy aktivitete është shënuar sot 20 vjetori i fillimit të rezistencës në rajonin Ferizajt.

Fillimisht bashkëluftëtarë e struktura komunale kanë bërë homazhe tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve ku pushon edhe trupi i dëshmorit të kombit Rexhep Bislimi, i cili ishte njëri ndër nismëtarët e aksionit të parë të forcave ilegale në Ferizaj.

Më pas në fshatin Gurëz në vendin ku për herë të parë u sulmua postbollku policor serb u evokuan kujtime për ngjarjet e atëhershme që shënuan fillimin e rezistencës.

Afrim Nuhaj i cili ishte pjesë e këtij aksioni, tregoi se sa e vështirë ishte të veprohej në atë kohë, por tha se dëshira për liri ishte ajo që i shtyri të veprojnë pavarësisht rreziqeve.

Ishin kohë të vështira ku duhet të veprohej me shumë kujdes prandaj edhe organizimin e kishim shumë të kufizuar. Me ndihmën edhe të eprorëve nga shtabi i përgjithshëm realizuam këtë aksion me të cilin i bëmë me dije forcave armike se nuk do të rrimë duarkryq krahas krimeve që po ndodhnin“, tha veterani i UÇK-së Afrim Nuhaj.

Ndërsa, kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, theksoi se rezistenca e popullit shqiptar ishte fuqishme që nga vitet e hershme kur u pa qartë se më nuk durohej robëria. Ai e çmoi lartë sakrificën edhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.

“Aksioni i armatosur në Gurëz tregon gatishmërinë për sakrificë, tregon përgjegjësinë e lartë dhe nismën e një rrugëtimi të përgjakshëm, i cili për fatin tonë të mirë, pati si përfundim çlirimin e vendit tonë dhe pavarësinë e tij nga shtypësi i deridjeshëm. Në këtë rrugëtim, me flijime të panumërta, bota demokratike ishte në anën tonë, sepse ne ishim në të drejtën tonë. Tani jemi të lirë për ta ndërtuar jetën tonë. Tani është koha kur ne si popull dhe si vend e kemi shansin për t’i treguar mundësitë tona krijuese, kapacitetet qeverisëse dhe aftësitë tona për të ndërtuar mirëqenien tonë. Në këtë aspekt janë bërë hapa të rëndësishëm, por ka ende shumë punë. Se si do të jetë e nesërmja jonë, tani varet nga vetë ne” , deklaroi kryetari Svarqa.

Në këtë ngjarje përkujtimore të pranishëm ishin edhe Ferat Shala e Idriz Hajdari të cilët në atë kohë kishin ardhur nga shtabi i përgjithshëm, ku bashkë me Afrim Nuhajn dhe dëshmorin e kombit Rexhep Bislimin patën organizuar aksionin e parë në fshatin Gurëz.

Në vendin prej nga u sulmuan forcat policore këto ditë është vendosur një flamur dhe është shënjuar hapësira, ndërkaq familja e dëshmorit Rexhep Bislimi, ka shfaqur dëshirën që në përvjetorët e tjerë të vendoset edhe ndonjë pllakë përkujtimore që do të mbajë gjallë këtë kujtim ndër shumë breza.

Share.