Selmani: Do të jem zë i personave me aftësi të kufizuara

0

Fakti që personat me aftësi të kufizuara nuk po përfshihen sa duhet në shoqëri dhe po gëzojnë pak të drejta ka bërë që Ylber Selmani, i cili është invalid i luftës së UÇK-së dhe kryetar i shoqatës “Handicap Kosova”, t’i futet garës për asamble komunale.

Selmani që është pjesë e listës së Nismës Qytetare për Ferizajn, thotë se synim i tij është avancimi i personave me aftësi të kufizuara në Ferizaj.

“Qëllimi im nuk ka qenë patjetër të politizohem, nuk ka qenë qëllimi im që patjetër të merrem me politikë, qëllimi im ka qenë që personat me nevoja të kufizuara të kenë një qasje më ndryshe brenda kuvendit komunal, që do të thotë shoqatat e ndryshme në Ferizaj që janë “Hendifer”, ‘’Handikos’’, ‘’Shoqata e të verbërve’’, e shoqata të tjera, ato shoqata të kenë dikënd faktor kyç në kuvend që të paktën të kenë një prioritet gjatë projekteve të tyre, projektet e aftësive të kufizuara mos të ndalen por të ecin përpara, e kemi parë që pas një insistimi të madh është bërë lifti në kuvendin komunal, kur e marrim parasysh liftin ku janë projektet e tjera”, tha Selmani.

Ndërsa,  kryetari i Nismës Qytetare për Ferizajn, Bashkim Fazliu, thotë se u ka bërë ftesë të gjitha shtresave të shoqërisë për të qenë pjesë e listës për asmble komunale.

“Ne u kemi bërë ftesë dhe kemi pasur kontakt me të gjitha shtresat e shoqërisë tonë, sigurisht kjo shtresë e personave me nevoja të veçanta ka një kujdes të veçantë nga ana jonë dhe Ylberi sigurisht do të jetë një zë shumë i qëndrueshëm, sidomos në mbrojtjen e vlerave të personave të veçantë meqenëse është shumë aktiv në këtë kuadër dhe ka pasur aktivitete të shumta edhe jashtë Kosovës me personat me nevoja të veçanta. Ylberi dhe personat që janë me nevoja të veçanta do ta kenë mbështetjen e vazhdueshme, sidomos kur është në pyetje kjo kategori e cila është pjesë poashtu e nevojshme dhe shumë e rëndësishme e shoqërisë tonë”,tha Fazliu.

Ylber Selmani, është parë i afërt me të gjitha subjektet politike në kohë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Lidhur me këtë ai thotë se qëllimi i tij ka qenë që t’i njoftoj të gjitha subjektet se personat  me nevoja të veçanta janë  pjesë e shoqërisë.

Share.