‘’SAB’’ bën me shtëpi të re familjen Nuredini nga Ferizaj

0

Me para të grumbulluara nga organizata  ‘’SAB’’ e cila vepron në Suedi, sot në Talinoc të Muhaxherëve nisi ndërtimi i shtëpisë për familjen  e Naser Nuredinit  e cila deri më tani ka jetuar në kushte të mjerushme ne Fushë të Madhe. Donatorët kishin përzgjedhur komunën e Ferizajt për të bashkëpunuar rreth këtij projekti. Sot bashkarisht ata vunë edhe gurthemelin për këtë shtëpi solidare.

” Ne jemi një organizatë e përbërë kryesisht me femra të cilat jetojnë në Suedi dhe me rastin e festave të ndryshme ne tubojmë mjete financiare, por edhe nga pagat e tona ndajmë dhe bëjmë një fond prej të cilit pastaj realizojmë projekte kryesisht bamirësie. Tash jemi të fokusuar në ndërtimin e shtëpive  në Kosovë”, tha Arta Krasniqi nga “SAB”.

Ndërkaq, zyrtarë të komunës, thanë qeveria lokale po bënë përpjekje që përveç buxhetit që ka, të gjejë edhe donatorë të cilët do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të familjeve në nevojë, konkretisht në ndërtimin e shtëpive solidare.

“Ne kemi pas korrespondenca të mëhershme me këtë organizatë dhe kemi dërguar një listë prej emrave të cilat i kemi pas në arkivËn tonë dhe përzgjedhja është bërë si ndër rastet më të rënda kjo familje e Naserit. Besoj që sipas fjalëve të operatorit brenda muajit kjo familje do të bëhet me shtëpi të kompletuar”, tha Burim Karameta.

E, përfituesi i kësaj shtepie Naseri, tregoi se truallin ia fali motra, ndërkaq falenderoi bamirësit që po e bëjnë me kulm mbi kokë.

“Inshallah ma bani hallall, unë edhe gruan e kam të sëmurë dhe kurrë nuk kisha mundur të ndërtoj shtëpi me para të mija. I kam tre fëmijë, një të martuar e të tjerët  kështu të rinj, motra ma fali këtë tokë, e falenderoj shumë, ndihem me plotë gëzim dhe emocione”, tha Naser Nuredini.

U bë e ditur se organizata ‘’SAB’’ për këtë shtëpi ka dhënë 14 mijë euro, ndërsa me 20 për qind të shumës totale u tha se kontribuon edhe firma “Agoni”, që po e ndërton këtë shtëpi, ndërkaq nga zyra e kryetarit janë ndarë 1 mijë euro.

Share.