Pushteti dorëzohet para ndërtimeve pa leje

0

Ndërtimet pa leje në Ferizaj nuk kanë të ndalur, ani pse komuna është në dijeni për këtë, por pushteti po dorëzohet para ndërtimeve pa leje.

Si nëpër shumë pjesë të qytetit, njejtë është duke ndodhur edhe në hapësirën përballë objektit të ri të Gjykatës Themelore të Ferizajt. Në këtë vend që tashmë kanë nisur punimet për ndërtimin e një objekti banesor, me planin e vjetër urbanistik i cili akoma është në fuqi,  parashihet ndërtimi i një objekti shkollor.

Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj Faik Grainca, thotë se nuk ka dhënë leje për këtë objekt dhe ka urdhëruar  që kjo hapësirë të kthehet në gjendjen e mëparshme, por përkundër kësaj, punimet për ndërtimin e këtij objekti po vazhdojnë.

 “Ne nuk është e vërtetë se kemi dhënë leje, ne e kemi ndërprerë punën aty dhe aty janë zhvilluar punët pa leje dhe kemi urdhëru palën që ta kthej në gjendjen e mëparshme dhe nëse ai nuk e bënë këtë punë atëherë komuna e bën në mënyrë të dhunshme”, tha Grainca.

Ndërkaq ndërtuesi i këtij objekti, prapa kamerave, bëri të ditur se ai kishte aplikuar për leje ndërtimore më 8 Gusht 2015, dhe se asokohe komuna e Ferizajt nuk i kishte kthyer përgjegje brenda afatit 45 ditor. Sipas tij, me skadimin e atij afati, komuna ka pranuar ne heshtje lejen ndertimore, konform ligjit.

Njejtë po ndodhë edhe në rrugën “Astrit Bytyqi”. Edhe këtu drejtori i Urbanizmit, thotë se ka urdhëruar që të ndalen punimet, pasi ende nuk janë pajisur me leje ndërtimore.

“Aty ekziston një marrëveshje në mes komunës dhe pronarëve të tokës, marrëveshje për hapjen e rrugës që atyre u lejohet ndërtimi në anën e djathtë, por sidoqoftë ata i kanë disa probleme të pazgjidhura pronësore juridike, janë pronarë faktik, por i kanë disa probleme që i kanë shumica e qytetarëve të komunës sonë, që pronën ende nuk e kanë bartur në emër të tyre edhe pse e ka marrë para disa dekadave dhe ne ju kemi dhënë një afat që t’i rregullojnë ato letra dhe natyrisht ata nuk kanë asnjë pengesë për t’u pajisur me leje, ne ju kemi thënë edhe atyre që duhet me i ndërpre punimet, ju e dini që atyre u është rrënuar një objekt për t’u hapur rruga dhe ata do ta ndërtojnë një objekt në pronën e tyre, por natyrisht që duhet të pajisen me leje”, tha Grainca.

Nga të gjitha objektet dhe ndërtimet që po bëhen pa leje nga komuna, drejtori Grainca ka zgjedhur një objekt në rrugën “Enver Topalli” për ta rrënuar, që sipas tij do të ndodhë javën e ardhshme.

Share.