120 punëtorë shëndetësor që 3 muaj pa paga

0

120 punëtorët shëndetësor të punësuar përmes një marrëveshje në mes Caritas Kosovës dhe Komunës së Ferizajt, ka tre muaj që nuk i kanë marrë pagat. Duke mos dashur të prononcohen para kamerës nga frika se largohen nga puna, punëtorët përmes telefonit thanë se u ka ardhë në maje të hundës kjo situatë.

Ata ankohen se edhe paga u është zbritur nga 300 në 200 euro, ndërsa theksojnë se aktualisht janë duke punuar pa kontrata, ngase akoma nuk i kanë nënshkruar kontratat e reja.

 “Na nuk kemi marrë paga që tre muaj, ka njerëz që mbajnë familje me këto paga, arsyeja nuk dihet pse s’po na i japin, kah të shkojmë me u anku askush nuk e merr përgjegjësinë për vete, vetëm na maltretojnë, ka ndodhë edhe diskriminimi në paga që u kanë 302 euro paga e punëtorit tani është kthyer në 200 euro, do e kanë pas 450 euro që janë kanë në rangun më të lartë, ua kanë zbritë 350 euro, kurse këtyre 302 që i kanë marrë pagat ua kanë zbritë në 200 euro”, tha një punëtor shëndetësor i punësuar përmes marrëveshjes së komunës me Caritasin.

“Kemi tre muj që nuk kemi marrë rroga dhe fillojmë muajin e katërt pa rroga, për neve është jashtëzakonisht e vështirë pa rroga, jemi të gjithë të martuar, kemi fëmijë, studenta, harxhime të shtëpisë, është e vështirë shumë me mbijetu pa rrogë, unë nuk e kam mrri zbritjen e rrogave por është e vërtetë që i kanë zbritur nga 300 në 200 euro”, tha një tjetër punëtor.

Ndërsa, Drejtoresha e Financave në komunën e Ferizajt Lirije Syla, tha se këta punëtorë nuk  i kanë marrë pagat pasi problemi qëndron tek rishikimi i buxhetit në nivel vendi, por theksoi se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Siç jeni në dijeni edhe ju, ne kemi bërë edhe rishikimin e buxhetit në muajin maj dikur dhe ne po presim çdo moment që ky rishikim të ndodhë, ju e dini që akoma nuk është bërë formimi i qeverisë dhe jemi në bisedime me Ministrinë e Financave se si të procedojmë më tutje në lidhje me pagesat dhe mjetet që do të sigurohen për pagesat që do të bëhen në bashkëpunim me marrëveshjen që kemi me Caritas Kosovën”, tha Lirije Syla.

Në lidhje me mospagesat e këtyre punëtorve, Televizioni Tema provoi të kontaktoj me Drejtorin e Shëndetësisë në Ferizaj Burim Karametën dhe me përfaqësues të organizatës Caritas Kosova, mirëpo ata refuzuan të prononcohen për këtë çështje.

Vitin e kaluar komuna e Ferizajt kishte nënshkruar marrëveshje katërpalëshe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Punës si dhe me Caritas Kosovën për pagesën e punëtorëve të angazhuar në QKMF dhe në qendrën në Dubravë, mirëpo kjo marrëveshje ka përfunduar në maj të këtij viti.

Share.