Përkundër paralajmërimit, nuk nis rregullimi i fushës sportive në Sojevë

0

Një njoftim i Zyrës Komunale për Informim, që në Sojevë të Ferizajt paraditën e sotme do të filloj ndërtimi i një fushe sportive, i dërgoi gazetarët në këtë fshat. Por çuditërisht, në vendngjarje ishte i pranishëm vetëm përfaqësuesi i fshatit Sylejman Syla, i cili tha se as ai vetë, e as banorët e tjerë nuk janë në dijeni që sot nis ky investim. Dhe kështu ndodhi, pas disa minutave pritje, erdhën pronarët e firmës, “Euro Beton”, firmë kjo e cila do ta realizoj këtë projekt, duke kërkuar falje që sot nuk i patën të gatshëm punëtorët dhe makineritë për të filluar këtë projekt që e paralajmëroi zyra e kryetarit.

“Unë me keqardhje ju njoftoj se sot nuk kemi mundur t’i sjellim punëtorët dhe makineritë këtu, pasi që kanë qenë të angazhuar në projekte të tjera dhe s’kemi mundur t’i ndërpresim punët në asfaltim, por gjithsesi në këtë javë do të fillojnë punimet edhe në Sojevë. Ne aktualisht me firmën tonë jemi duke i realizuar projektet e tri fushave të tjera sportive në të njejtën kohë dhe na ka mbetur Sojeva e Muhoci. Sipas kontratës që kemi punët duhet t’i përfundojmë në të gjitha projektet për 80 ditë pune”, tha Bahrije Hyseni nga “Euro Beton”.

Por, këtu ka diçka edhe më shumë. Derisa firma thotë se i ka parametrat e projektit dhe e dinë lokacionin se ku do ta ndërtoj këtë fushë sportive, një gjë të tillë nuk e kanë banorët e fshatit. Përfaqësuesi i tyre thotë se ende nuk janë konsultuar dhe nuk kanë vendosur se ku dëshirojnë ta realizojnë këtë projekt.

“Në një të ardhme të afërt, brenda dy-tri dite, e ftoj kryesinë e fshatit dhe ata vendosin se ku duhet të ndërtohet ky stadion. Mendoj se këtu ku jemi është qendra e fshatit, pjesa këndej nga e Sojevës deri këtu i ka 3 kilometra, ndërkaq pjesa tjetër në të djathtë i ka 2 deri këtu.  Tash unë nuk vendosi, fshati do të vendos. Për fat të keq unë as që kam qenë i njoftuar që sot veç fillojnë punimet, prej juve po marr vesh. Unë e di veç që drejtori i sportit ka qenë i sëmurë dhe s’kam mundur të bie në kontakt me të”, tha Syla.

Ndryshe, në këtë ngjarje të dështuar, përveç drejtorit të Zhvillimit Ekonomik, Shemsedin Sojeva, nuk u pa asnjë komunarë tjetër. Drejtori i Infrastrukturës Gafurr Ilazi, i tha Televizionit Tema se këto projekte janë në kuadër të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mirëpo drejtori Naim Ferati nuk iu përgjigj thirrjeve të televizionit. Sido që të jetë, fushat sportive në pesë fshatra të Ferizajt do të ndërtohen me paratë publike të komunës së Ferizajt dhe një pjese të buxhetit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Investimi në to kap vlerën prej 110 mijë eurove.

Share.