Përfituesit marrin vendimet për banesat e tyre të uzurpuara

0

37 përfitues të banesave  solidare në Ferizaj i morën sot vendimet nga  komuna,  por jo  edhe çelësat e banesave që i përfituan. Pas ceremonisë së dhënies së këtyre vendimeve, përfituesit patën dilema të mëdha se si do të veprojnë më tutje, madje disa prej tyre këtë gëzim e patën me rezerva.

“Po tash unë nuk di çfarë të bëj, a mundem me këtë vendim me shku me hy në banesë, ku e di unë se kush mund ta ketë uzurpuar banesën që mu ma ka nda komuna. Kjo është telashe për ne vërtetë. Komuna u dashtë me i heq së pari uzurpatorët e pastaj neve me na i dhënë këto vendime. Unë jam në hall  të madh, po jetoj në shtëpi të huaj ku çdo ditë vjen pronari dhe më largon nga aty”, tha Melihate Bakolli.

Njejtë po shprehën edhe përfituesit e tjerë. Thonë se ata komuna i joshi para kohe.

“Spo di, pasi çelësat nuk i kam marrë, letra mundet me kanë veç letër. Këto probleme duhet me i zgjidh komuna, unë s’kam nevojë me dalë me zgjidh problemin me pronarin që është duke qëndruar në atë banesë që mua mu ka nda”,  tha Mehmet Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Ferizajt u zotua para këtyre përfituesve se banesat e tyre do t’i gëzojnë shumë shpjet, ndërsa i ftoi uzurpatorët që t’i lirojnë ato brenda pak ditësh,  sepse në të kundërtën pushteti do veprojë me mekanizmat e vetë.

“Shteti do të veproj me gjithë mekanizmat e vetë, siç ka vepruar deri më tani. Një numër i tyre kam dëgjuar se prapë janë uzurpuar, por unë i ftova ata që t’i lirojnë sa më parë. Unë nuk e di sa janë të uzurpuara, sepse këtë gjendje e ka Drejtoria e Pronës dhe unë s’kam pse të merrem me këtë punë. Unë veç garantoj se të gjitha do të lirohen dhe këta banorë do të hyjnë sot nëse banesat i kanë të lira”, tha Svarqa.

E, derisa kryetari Svarqa nuk është i njoftuar për gjendjen në terren, kryetari i Komisionit për ndarjen e këtyre banesave, tha se të uzurpuara janë pothuajse të gjitha.

“Sot i dhamë 37 vendime, ndërsa me sa e di unë veç tri prej tyre janë të lira, të gjitha të tjerat janë të zëna. Ne e kemi kryer punën tonë më 10 shkurt të këtij viti, ndërkaq punë e ekzekutivit është lirimi i banesave nga uzurpatorët”, tha Ymri Hashani.

Por, në këtë ngjarje që u përzi gëzimi dhe dilema, pati edhe përfitues që shprehën mirënjohje. Ishte këshilltari i kryetarit të komunës, Ramadan Haziri, i cili në cilësinë e përfituesit të banesës,  tha fjalë miradije për këtë pushtet.

“Komuna na ka mundësuar që një pjesë të pasurisë komunale,  që neve na takon me na e dhënë sot, andaj ne jemi shumë falenderues, e veçanërisht kryetarin që është përpjekur për këtë vendim”, tha Haziri.

U bë e ditur se deri më tani Komisioni Komunal për ndarjen e këtyre banesave, ka pritur me muaj të tërë konfirmimin e kësaj liste të përfituesve nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, por deri më tani kjo ministri nuk i ktheu Kuvendit kurrfarë vendimi. Kësisoj komuna u dha vendimet përfituesve, pa vendim të Ministrisë.

Share.