Pavarësisht protestave komuna e vendosur për rregullimin e varrezave në Balaj

0

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur i vendosur se punimet për rregullimin e varrezave të qytetit në fshatin Balaj, do të përfundojnë brenda pak ditëve, njofton Zyra për Informim e Komunës së Ferizajt.

Këtë Svarqa e bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të mbajtur gjatë ditës së sotme.

‘’Kryetari Svarqa, tha se në fshatin Balaj po zbatohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe i Kuvendit të Komunës, që në atë vend të jenë varrezat e qytetit të Ferizajt, ndërsa varrezat do të jenë për të gjithë konfesionet fetare si myslimane, katolike, protestante, por edhe për ateistët. U tha po ashtu se tashmë është edhe projekti ideor për rregullimin e këtyre varrezave’’, thuhet në komunikatën e Zyrës Komunale për Informim.

Svarqa tha se varrezat e reja në asnjë mënyrë nuk i pengojnë banorët e fshatit Balaj, sepse janë larg vendbanimeve të tyre, por kjo po bëhet me qëllime të ndryshme politike dhe në kohë fushate.

Ndërsa, komandanti i Stacionit të Policisë në Ferizaj, Qazim Reka, theksoi se vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i respekton edhe Policia e Ferizajt. Ai tha se policia do të qëndroj aty deri sa të përfundojnë të gjitha punimet në rregullimin e varrezave.

‘’Përkrahje këtij vendimi i dhanë edhe krerët e bashkësive fetare në Ferizajt, me ç’rast kanë theksuar nevojën urgjente për rregullimin e këtyre varrezave, sepse ne vendet ku aktualisht gjenden varrezat në Ferizaj, nuk ka hapësire të mjaftueshme’’, përfundon komunikata.

Share.