‘’Oh, my love’’ i regjisorit Kole Angelovski fitues në festivalin FerFilm

0

 

Edicioni i pestë me radhë i festivalit ndërkombëtar të filmit FerFilm, ka përfunduar mbrëmë në Ferizaj. Ky festival i cili qëndroi i hapur për 5 netë mblodhi artistë nga shumë vende të botës.

Jurina e përbërë nga Mevlan Saraçi, Alina Cyranek dhe Lyobo Yonchev, ndanë çmimet për filmat kokurent, ku fitues i këtij edicioni u shpall filmi “Oh, my love” i Kole Angelovski nga Maqedonia.

Alina Cyranek, anëtare e jurisë, tha se e kanë pasur të vështirë t’i përzgjedhin filmat më të mirë, mirëpo janë munduar që të zgjedhin ata që përmbajnë  mesazhe të fuqishme.

“Kemi luftuar shumë me ekipin, kemi pasur shumë produksione të nivelit të lartë nga shtete të ndryshme, por unë kam insistuar që ta kemi një film, i cili do ta bartë një mesazh në vete, pasi që përmes filmit zhvillohen mesazhe që barten”, tha Alina Cyranek.

Kurse, ata që garuan me filmat e tyre në këtë festival thanë se ishte kënaqësi të qëndrojnë në Ferizaj përgjatë 5 netëve.

‘’Faleminderit për çmimin jurisë që ka ditë me çmu punën tonë“, tha Kushtrim Asllani.

“Unë isha në një udhëtim në Prizren dhe është hera e parë që unë shoh këtë qytet të mrekullueshëm bashkë me Ferizajn dhe unë tani mund të them se vërtetë ju keni një vend të bukur. Ishte kënaqësi të jem këtu”, tha Ana Jakimska nga Maqedonia.

‘’Faleminderit jurisë, unë jam i ngazëllyer nga vendi dhe mikëpritja e njerëzve, të rinjve në këtë qytet dhe unë vërtetë shpresoj se do t’iu shoh prapë vitin tjetër me filmin tim të radhës”, tha Zharko Ivanov nga Maqedonia.

Në ceremoninë e mbylljes së ediconit të 5-të të FerFilmit, në emër të komunës kryesuesi i Kuvendit Komunal, Faruk Guri, uroi që ky festival të ketë jetëgjatësi dhe të jetë konkurent me festivalet jashtë Ferizajt.

“Unë uroj që ky festival të vazhdoj edhe në mënyrë më profesionale dhe të jetë më produktiv dhe natyrisht t’i konkurojmë të gjithë festivalet e tjera si të Prishtinës, të Prizrenit, Tiranës e të Shkupit. Unë në emër të kryetarit uroj që në të ardhmen të vazhdoj ky festival”,tha Guri.

Në këtë edicion janë shfaqur 160 filma, ku 90% e tyre kanë qenë filma ndërkombëtar.

 

Juria në përbërje të Mevlan Saraçit, Lyobo Yonchev dhe Alina Cyranek vendosën:

Filmi më i mirë fiction- ‘’Oh, my love’’ nga Kole Angelovski

Filmi më i mirë dokumentar – ‘‘In the mirror’’ nga Yulia Kantcheva

Filmi më i mirë i shkurtër- ‘’The children will come’’ nga Ana Jakimska

Filmi më i mirë dokumentar i shkurtër- ‘’Daniel’’ nga Anastazja Dabrowska

Filmi më i mirë i shkurtër i animuar- ‘’Round trip: MARY’’ nga Zharko Ivanov

Filmi më i mirë i shkurtër eksperimental- ‘’Couplets for an Everlasting Eve’’ nga Begoña Vicario

Çmimi i parë ‘‘Special Mention – The grabage’’ i Kushtrim Asllanit

Çmimi i dytë ‘’Special Mention- Comrade Sebast” nga Martin Genovski.

Share.