Mësohen emrat e zyrtarëve për të cilët u ngrit kallëzim penal

0

Lajmin që Prokuroria Themelore e Ferizajt ka ngritur kallëzim penal për 13 zyrtarë  të komunës, e konfirmoi sot kryeprokuroi Shukri Jashari. Ai tha se hetimet janë duke u kryer më shpejt sesa në rastet tjera, ndërsa bëri të ditur se hetimet e deritanishme flasin që ka elemente të veprës penale.

Përveç zyrtarëve komunal, në këtë kallëzim penal figurojnë edhe emrat e drejtorëve komunal, por edhe të disa qytetarëve. Ata janë: Faik Grainca, Skender Baftiu, Premtim Asllani , Afërdita Bibaj, Selvije Ramadani, Basri Musa, Hanife Obrazhda, Ismajl Mehmeti, Lulzim Shabani, Bekim Idrizi, Hazbije Murseli, Nazim Musliu dhe Musa Ibishi. Në këtë kallëzim penal janë të përfshirë edhe disa qytetarë, raporton Televizioni Tema.

“Njësia e hetimeve të krimeve ekonomike, sipas udhëzimit të Prokurorit  të Shtetit, gjatë hetimeve tre mujore ka arritë të vërtetoj kallëzim penal kundër 13 personave zyrtarë dhe qytetarë të thjeshtë. Bëhet  fjalë për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit. Hetimet janë duke u kryer me urgjencë, ato kanë filluar që tre muaj dhe lënda ka rezultuar me kallëzim penal. Lënda është tek prokurori i çështjes dhe ai do të vlerësoj, deri tash ka dyshim të arsyeshëm që ka veper penale”, tha kryeprokurori Shukri Jashari.

Grupit që po hetohet i prinë drejtori i Urbanizmit Faik Grainca. Por çuditërisht ai thotë se as që e dinë këtë fakt.

“Është hera e parë që e dëgjoj një informacion të tillë nga ju. Punëtorët e mi nuk janë intervistuar nga prokuroria, por unë edhe ata para disa ditësh jemi intervistuar nga krimet ekonomike të policisë, por jo në cilësinë e të dyshuarit por të dëshmitarit. Kjo ka ma shumë se 10 ditë, jemi intervistuar për planin zhvillimor dhe jemi të gatshëm të intervistohemi dhe të bashkëpunojmë ngushtë me organet e rendit që ne nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore në procedurën e planit zhvillimor. Këtu dikush po dëshiron të bëjë kampanjë dhe politikë për interesa të klaneve të ndryshme’’, tha ai.

E, Faik Grainca derisa shprehet i sigurtë që s’ka bërë asnjë vepër penale, thotë se e njeh paditësin.

“Kush na ka padit e di, është një person që ka interesa dhe ai mendon se mundet ta kap edhe komunën, edhe drejtësinë, edhe Ferizajn. Unë vazhdimisht kam thënë se  është mirë kur fillojnë hetimet, gjëja më e mirë është kur udhëheqen hetimet dhe e pershëndes këtë iniciativë. Edhe pse e kam një mospajtim për kohën kur filluan këto hetime. I uroj punë të mbarë prokurorit dhe gjithë atyre që janë duke i kryer hetimet“, tha Grainca.

Për këtë çështje serioze nuk ka informacion as i pari i komunës Muharrem Svarqa. Ai deklarohet se nuk është në dijeni që drejtori i tij,  bashkë me zyrtarë të tjerë të komunës po hetohen për vepër penale. Svarqa, me duar në xhepa,  po mundohet që këtë lajm ta merr me qetësi.

“Unë asnjë informacion që e thoni ju nuk e kam, në përjashtim që një pjesë e portaleve dhe mediave që kanë shkruar për të. Unë po pres që të shohim se cilat janë veprimet që ka ndërmarrë hetuesia. Unë me drejtorin Grainca normal që kam biseduar, por që as ai nuk ka ndonje konfirmim zyrtar që kjo është duke ndodhur. Është normale që institucionet e pavarura me punu në mënyrë të pavarur , ndërsa e ardhmja do të tregoj se a kanë qenë dyshime të bazuara. Ne do të marrim të gjithë hapat konform ligjeve tona në fuqi, do të presim që gjithçka të shkoj sipas synimeve që kemi, por besoj që ky është një atak i drejtpërdrejtë në përpjekje për mosaprovimin e planit zhvillimor komunal dhe nuk besoj që ka diçka që mund të dëshmohet se është kundër ligjit”, tha Svarqa.

Ky rast i cili ka të bëjë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërlidhet me vlerësimin dhe rivlerësimin e ankesave të qytetarëve nga Komisioni Komunal për Planin Zhvillimor Komunal. / TELEVIZIONI TEMA /

Share.