Mbyllja e kanalizimit u shkakton telashe banorëve të Zllatarit

0

Mbyllja e kanalizimit përgjatë rrugës ka shkaktuar telashe në shtëpinë e Shukri Kurtit nga fshati Zllatar i Ferizajt.

E zonja e shtëpisë thotë se po bëhen gati tri javë kur nga mbyllja e kanalizimit, ujërat po depërtojnë në bodrumin e shtëpisë së saj si dhe në pusin prej nga furnizohen me ujë të pijes.

“Kanalizimi që është bllokuar po na vjen para shtëpisë, ka hy në bunar, në bodrum, afër tri javë kemi probleme, e kemi lajmëru përfaqësuesin e fshatit, ai i ka lajmëru po ende nuk kanë ardhë me rregullu, ujin e ka infektu po edhe era po i vjen, unë jam e sëmurë nga veshkët po është shumë problem”, tha e zonja e shtëpisë.

Përfaqësuesi i fshatit Zllatar Xhevat Sallahu, thekson se nuk është hera e parë që ky fshat ka probleme me kanalizim, ngase sipas tij rrjeti i kanalizimit në këtë fshat që nga fillimi është bërë shkel e shko.

“Ka dy javë që është ky problem me kanalizim, ka hy uji në këtë shtëpi të kësaj familje ku dhe ka infektu edhe pusin e ujit të pijes, ne kemi bërë kërkesë po deri sot nuk ka marrë masa askush nga “Bifurkacioni”, sepse mendojmë që është kompetencë e tyre me rregullu, sepse edhe më herët kanë intervenu, por kësaj radhe ende nuk kanë ardhë, por nuk është hera e parë që fshati ynë ka problem me kanalizim, që nga futja e kanalizimit ky fshat nuk është bërë rehat me të, sepse kur është bërë është bërë shkel e shko nga fillimi”,tha Sallahu.

Ndërsa, në kompaninë e ujësjellësit dhe të kanalizimit “Bifurkacioni”, thonë se nuk kanë qenë të njoftuar për këtë rast. Drejtori i kësaj kompanie Nazif Asllani, thotë se kompania që ai udhëheq u del në ndihmë qytetarëve sa herë që ata kanë nevojë, edhe pse thekson se fshati Zllatar dhe Dardani nuk janë nën menaxhim të kësaj kompanie.

“Ne zakonisht për fshatin Zllatar dhe Dardani, meqenëse ende nuk i kemi në menaxhim, ne si kompani zakonisht informatat i marrim nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ne kemi intervenime të shumta atje, kemi pasur intervenime atje tërë verën, ka problem si çdo kund që ka me kanalizim, por ne me teknikën tonë kemi intervenuar, edhe me këtë rast do të shkojmë të intervenojmë dhe me siguri  do ta kryejmë, po nuk kemi qenë të njoftuar deri tani, por sidoqoftë sot do të shkojmë”, tha Nazif Asllani.

Në kompaninë “Bifurkacioni, thonë se tani kur kanë filluar reshjet e shiut, janë shtuar edhe problemet me ujë dhe kanalizim, mirëpo apelojnë tek qytetarët që nëse hasin në probleme të tilla të lajmërohen në këtë kompani.

Share.