Hapet Akademia e Hendbollit në Ferizaj

0

Edhe pse ishte planifikuar të filloj punën në dhjetor të vitit të kalur, sot zyrtarisht u hap Akademia e Hendbollit në Ferizaj, shkollë kjo e vetmja e këtij lloji në Kosovë.

Kryetari i Federatës së Henbollit të Kosovës Eugen Saraçini, tha se kjo akademi do të kontribuoj në ngritjen e cilësisë së sportit në përgjithësi, e të hendbollit në veçanti.

“Po ndodh hapja e Akademisë së parë të hendbollit, pikërisht në Ferizaj, ku mendojmë se si qytet me traditë në henboll, i është dashur edhe ky organizim i cili më tutje do të zhvilloj për 3-4 vjet qindra hendbollistë  të ri, ata pastaj do të mund të zhvillohen dhe të punojnë nëpër klube, me punë profesionale dhe me ngritje të hendbollit do të ngrisim edhe cilësinë e përfaqësimit tonë në përgjithësi, por esenca është që të rinjtë me u marrë me sport, cilido qoftë, por neve më së shumti na intereson hendbolli”,tha Saraçini.

Ndërsa, drejtori i kësaj Akademie Ismet Jupa, tha se do të jap maksimumin që të rinjtë e kësaj akademie të jenë të barabartë me ata të Evropës.

 “Për mua investimi më i madh është me investu në fëmijë dhe ky është investimi më i madh që është bërë, sa më përket mua dhe dy kolegëve të mi, unë do të jap maksimumin më të mundshëm si nga ana profesionale ashtu edhe intelektuale që këta fëmijë t’i ngris e t’i bëj të barabartë me fëmijët e Evropës në nivel më të lartë, unë mendoj që në një afat prej 4 viteve këta fëmijë do t’i sjell në atë pozicion që këta me qenë në nivel me fëmijët e Evropës dhe ky është premtimi im dhe besoj që do ta mbaj”,tha Ismet Jupa.

Përfaqësues të klubit të hendbollit “Kastrioti” nga Ferizaj, e vlerësuan si shumë të rëndësishme hapjen e kësaj Akademie.

“Sot është një ditë e veçantë për sportin ferizajas, në veçanti për hendbollin dhe kjo ka një vlerë të rëndësishme në nivel vendi pasi që këta lojtarë do të jenë reprezantues të klubeve tona, ne si klub gjithsesi se kemi mirëpritur  këtë veprim, sepse tani e tutje do të kemi gjenerata të shkolluara dhe pas 4 viteve t’i japin frytet e para dhe të kthehet ai nami i dikurshëm që kishte hendbolli në Kosovë”, theksoi Gëzim Kokollari.

Ushtrimet në hendboll do të mbahen gjatë tërë javës, në dy ndërrime, dhe do të zhvillohen në palestrën e sporteve “Bill Klinton”, në Ferizaj. / TELEVIZIONI TEMA /

Share.