Financat, sfidë për KBI-në e Ferizajt

0

 

Pavarësisht progresit të viteve të fundit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj akoma vazhdon të ballafaqohet me mungesë të  buxhetit për veprimtarinë e vet. Kryetari i sapo zgjedhur i këtij institucioni, Bujar Hasani, tha sfida kryesore për të është pikërisht sigurimi i pagave për imamët e xhamive të Ferizajt.

“Ajo që është më e rëndësishmja dhe me prekëse është që Bashkësia Islame nuk gjendet mirë financiarisht, e që ky problem ka qenë edhe gjatë mandatit të kryetarit të kaluar,  e që tani na shoqëron edhe neve në këtë mandat, por që po bëjmë përpjekje  maksimale që ta stabilizojmë gjendjen ekonomike të këtij institucioni. Por Këshilli i Bashkësisë Islame rrënjët e tij i ka në popull, do të thotë burimi i vetëm është anëtarësia e cila kërkohet nga populli dhe këtu kemi një problem që nuk grumbullohen mjete ashtu siç duhet. Do të thotë një pjesë e anëtarësisë se këtij Këshilli  nuk e kryejnë obligimin që kanë dhe kësisoj ne ballafaqohemi  në momentin kur vjen koha nuk mund t’i mbulojmë as pagat e imamëve”, tha Hasani.

Përveç punës së përditshme në bazë të planit dhe rregullores që ka Këshilli i Bashkësisë Islame në këtë komunë, ai ka intensifikuar veprimin në terren, që përmes fushatave dhe ligjëratave të ndikoj në vetëdijesimin e besimtarëve  kundër grupeve terroriste dhe radikalizmit islam.

Kryetari Hasani tha se Bashkësia Islame gjithmonë është distancuar nga këto veprime që po ndodhin nëpër botë.

“Bashkësia Islame e Kosovës, duke iu referuar deklaratës së Myftiut të Republikës i cili që në fillim është distancuar dhe natyrisht duke interpretuar islamin, sepse islami nuk është fe e radikalizmit por mbi të gjitha është fe e paqes, mirëqenies  shoqërisë ndër njerëzore dhe neve duhet të jemi ata që duhet të triumfojmë me harmoni ndër njerëzore  e ndër fetare dhe gjithherë të jemi të distancuar ndaj çdo veprimi radikal, në cilëndo fe. Ne do të jemi luftëtarët më të ashpër të grupeve që shpërndajnë propaganda të radikalizmit islam. Ne si institucion po e zbatojmë rregulloren duke ligjëruar nëpër xhami dhe duke ia hequr dilemat xhematit që njerëzit që falen në forma te tjera nuk kanë vende këtu. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rast që është identifikuar me saktësi që X personi apo imami është duke trumbetuar në një lëvizje radikale, e që nuk i përgjigjet asaj që thotë Bashkësia Islame. Ne do të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Hasani.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj, aktualisht  ka 55 imamë të cilët shërbejnë nëpër xhamitë e qytetit dhe të fshatrave të kësaj komune. / TV TEMA /

Share.