Fillon rregullimi i ujësjellësit në rrugën ‘’Bajram e Gursel Sylejmani’’

0

Pas shumë muajve  që punët mbetën pezull, më në fund sot nisi së realizuari projekti i ujësjellësit në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani”.  Kjo rrugë e cila parashihet të bëhet me tri korsi, para se të asfaltohet do të bëhet me rrjet të ri të ujësjellësit, pasi që sipas ndërmarrjes “Bifurkacioni” rrjeti i vjetëruar ka sjellë telashe të mëdha këndej, por edhe dëme e humbje të ujit.

“Është një investim shumë i rëndësishëm për kompaninë tonë dhe për qytetarët e kësaj pjese të qytetit. Ne edhe më herët e kemi identifikuar se në këtë rrugë rrjeti i ujësjellësit është vjetëruar dhe po shkaktohen shumë dëme e humbje të ujit të ujësjellësit. Tash e tutje me rregullimin e këtij projekti, do të mundësohet një furnizim shumë më i mirë i ujit të pijes, por edhe do të eliminoj kyçjen ilegale”, tha Nazif Asllani.

Pas rregullimit të infrastrukturës nëntokësore, u tha se rruga “Bajram dhe  Gursel Sylejmani” do të bëhet me asfalt të ri.

“Vlera e këtij projekti është diku 86 mijë euro me një gyp f 200 dhe me gjatësi afër 3 mijë metra, si dhe janë paraparë edhe kyçjet e çdo shtëpie në këtë gyp të ujësjellësit. Pas ujësjellësit është edhe zgjerimi i rrugës që e patëm lënë në gjysmë, për shkak të këtij instalimi të gypit të ujësjellësit”, tha drejtori i Infrastukturës, Gafurr Ilazi.

Përveç rrugës “Bajram dhe Gursel Sylejmani” drejtues të kompanisë ‘’Bifurkacioni’’ thanë se një gyp tjetër që është duke i shkaktuar telashe ujësjellësit është në rrugën e Pleshinës. U tha se pas renovimit edhe të këtij gypi, ujësjellësi i qytetit do të stabilizohet.

Share.