Falë vullnetmirëve dy familje bëhen me kulm mbi kokë

0

Familja Rulani nga komuna e Gjilanit dhe familja Gashi nga fshati Brus i Lipjanit, sot kanë hyrë në shtëpi të reja, falë shoqatës bamirëse “Forumi Femrat Shqiptare”nga Suedia dhe shoqatës ferizajase “Feniks”.

Drita Shaqiri nga ‘’Forumi i Femrave Shqiptare në Botë’’, ka bërë thirrje për mbështetje të familjeve në nevojë në Kosovë dhe njëkohësisht ka paralajmëruar se aksionet e tillla humanitare do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Është  ndjenjë e papërshkruar të shprehem atë që ndjej sot, që kemi pasur mundësi ta ndihmojmë këtë nënë dhe familjet e tjera, edhe nga gratë e forumit por edhe jashtë tij, kështu që u them vazhdoni edhe më tej mos u ndalni”, theksoi Drita Shaqiri.

Ndërsa, kreu i  shoqatës “Feniks”, Milaim Jashari, ritheksoi se nuk ka gëzim më të madh se sa të bësh me kulm mbi kokë familjet që vuajnë për strehim.

 “Shoqata “Feniks” është ndërmjetësuese e ndërtimit të shumë shtëpive në gjithë Kosovën. Kjo që po përurohet është e 210-ta me radhë. Ne do të vazhdojmë tutje dhe urojmë që donatorët të rriten përditë e më shumë, sepse raste të rënda ka shumë në Kosovë që kanë nevojë për mbështetje”, ka thënë ai mes tjerash.

Për ta bërë me shtëpi të re familjen e Lumnije Rulanit, participuese ishte edhe komuna e Gjilanit. Me këtë rast Hazir Mustafa, në emër të Komunës së Gjilanit, ka uruar Lumnijen, e cila përpos që është një nënë vetushqyese, ka edhe problemin fizik të lëvizjes.

“Lumnija sot u bë me shtëpi të re. Ishte një rast shumë i rëndë. Si kryefamiljare dhe nënë vetushqyese, përpos kësaj brenge dhe aftësisë së kufizuar fizike, kishte edhe mungesën e kulmit mbi kokë. Komuna e Gjilanit sot po përuron shtëpinë e 46 me radhë për më pak se tri vjet nga gala mbrëmja humanitare e mbajtur në vitin 2014. Gjithashtu kemi renovuar mbi 30 shtëpi dhe jemi duke paguar qiratë mujore edhe për 45 familje të tjera. Lumnija dhe vajza e saj, tani përpos festës për hyrjen në shtëpi të re edhe festën e Bajramit dhe festa të tjera do t’i presin si duhet e me kushte më të mira”, ka thënë kryesuesi i Komunisionit Komunal për Banim Social, Hazir Mustafa.

Ndërsa, familjet përfituese të shtëpive u shprehen falenderuese ndaj donatorëve, të cilët kontribuan për ndërtimin e shtëpive të tyre.

“Falenderoj të gjthë, shoqatën “Feniks”, “Forumin e Fermave Shqiptare” që janë në Suedi që kanë bërë përpjekje të mëdha, edhe komunën e Gjilanit që ma ka dhanë këtë truall dhe të gjithë kontribuesit, po më duket si në ëndërr sepse me vite kam jetuar nëpër shtëpi të huaja”, tha Lumnije Rulani, nga Gjilani.

“Falenderoj të gjithë, janë kushtet e mira, falenderoj të gjithë që kontribuan”, tha Qazime Gashi.

Përfaqësues të shoqatës “Feniks”, thanë se nuk do ta ndalin edhe më tej aktivitetin bamirës për t’u dalë në ndihmë familjeve nevojtare.

Share.