Era e fuqishme shkakton dëme në Ferizaj

0

Ferizaj gjatë natës së mbrëmshme është përfshirë nga një erë e fuqishme, e cila ka shkaktuar dëme në shumicën e fshatrave të këtij qyteti.

Era e fuqishme e cila u përcoll edhe më shi ka shkatërruar çatinë e shtëpisë së Murat Asllanit nga fshati Sojevë i Ferizajt.

Ai thotë se dëmi që iu shkaktua mbrëmë kap shumën e rreth 2500 eurove, por thekson se se kanë qenë në rrezik edhe nga rryma.

“Dje që ka qenë erë e madhe, komplet kulmin përnjëherë e ka largu, fatmirësisht kemi qenë brenda nuk jemi kanë shumë të rrezikur, por dëme materiale janë bërë diku mbi 2500 euro, kemi qenë në komunë ekemi bërë kërkesë, tani ta shohim se çka do të bëhet, shtëpia ka qenë e re”, tha Asllani.

Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike thonë se përveç kërkesës së Murat Asllanit, në këtë drejtori nuk dinë për ndonjë rast tjetër që ka pësuar dëme nga era e mbrëmshme.

“Zakonisht kur shkaktohen dëme nga era apo vërshimet, policia më kontakton mua, nuk kam pasur asnjë telefonatë nga ta, përveç një kërkese që kam pasur nga një person që i ka shkatu dëme në kulm, do të dalë ekipi për emergjenca që të verfikoj se çfarë dëmi i ka shkaktu, përveç tij nuk kam pas tjetër rast’’, tha Mimoza Fazliu.

Era e fuqishme shkaktoi dëme edhe në kulturat bujqësore. Në Drejtorinë e Bujqësisë në Ferizaj, njoftojnë se deri më tani në këtë drejtori janë paraqitur dy raste. Drejtori i kësaj drejtorie Ismet Vranovci, tha se dëmet që janë shkaktuar i kompenson Ministria e Bujqësisë, ngase drejtoria që ai udhëheq nuk ka buxhet për këso raste.

 “Ishte një rrebesh i shpejt i shiut dhe i erës, ku kemi pritur se do të ketë dëme të larta në sektorin e perimtarisë, por deri në këtë momente unë si drejtor kam pasur dy telefonata që posedojnë serrë dhe që i ka dëmtu, sidomos atë pjesën e folisë dhe gypat e tyre, por së shpejti do të dalim në terren dhe do ta konstatojmë gjendjen, mua më vje keq nëse atyre u ka ndodhur, por do të mundohemi me të gjitha kapacitetet tona si drejtori që t’u dalim në ndihmë, edhe pse mundësitë tona janë të vogla, por ne do ta bëjmë një raport dhe ai raport do të shkoj në Ministri e cila besoj se e  ka një fond që mund t’i kompensoj ata deri me 25 %, po them me kusht nëse ka ministria mjete, ndërsa sa i përket Drejtorisë së Bujqësisë nuk kemi, as nuk kemi paraparë mjete për këto fatkeqësi natyrore”,tha Vranovci.

Era e fuqishme la për orë të tëra pa energji elektrike pothuajse të gjithë fshatrat e komunës së Ferizajt.

Share.