Degradimi i arsimit e detyron Enver Zhinipotokun të lë profesionin para kohe

0

Degradimi i procesit arsimor në përgjithësi, ka ndikuar që Enver Zhinipotoku, i përfshirë në këtë sektor që 35 vjet të heq dorë nga shkolla. Ende pa i mbushur 65 vjet, Zhinipotoku e shrytëzoi të drejtën ligjore për pension të parakohshëm. Thotë se nuk mundi t’i duroj keqmenaxhimet, kushtet infrastrukturore, sjelljet e nxënësve, si dhe ndërhyrjen e politikës në arsim.

“Nuk ka motiv puna punë, edhe pse profesorët paguhen. Arsimi është veprimtaria që sot paguhet më së shumti me të kaluarën, por punohet më pak se kurdoherë. Nuk është as hija e atij arsimi që është bërë nëpër lokale private. Më vjen keq prej atyre punëtorëve që mundohen dhe s’kanë asgjë në dorë. Rezultatet tregojnë që ne jemi shumë larg, tregon PISA, sepse njerëzit jo kompetent e kanë degraduar arsimin deri në atë nivel sa që vërtetë është për keqardhje. Fajet janë të përbashkëta, por kryefajtorë janë ata që vendosin për arsimin, për shembull aq shumë ka rënë disiplina e nxënësve sa që nuk ka mjet për ta ndryshuar atë”, tha Zhinipotoku.

Sociologu ferizajas Enver Zhinipotoku, autor i shumë librave, thotë se tash e tutje do të merret veç me shkrime.

“Ishte një mundësi ligjore që unë e shfrytëzova dhe thjesht dola në parapension, dhe tash paguhem 70 për qind të pagës që kisha. Thjeshtë u lodha nga ajo gjendje, tjetërsimin nga puna e teorisë së Marksit unë  qindra herë ua kam spjeguar nxënësve, por asnjëherë se kam kuptuar praktikisht, por tri vitet e fundit e kam kuptuar se çfarë është me u lodh në punë ende pa shkuar në vendin e punës”, tha Zhinipotoku.

63 vjeçari Enver Zhinipotoku, nga viti 1977 ka punuar si profesor i filozofisë, pastaj për 10 vjet rresht punoi si udhëheqës i bibliotekës së qytetit dhe pas largimit nga puna, ai sërish në qeverisjen e fundit, u zgjodh zëvendësdrejtor në gjimnazin ‘’Dr.Shaban Hashani’’, në Ferizaj.

Share.