Betohen 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes

0

Pas trajnimit prej 11 javësh, 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes, janë betuar sot në Prishtinë.

Këta vullnetarë do të shërbejnë në Kosovë për dy vjet në kuadër të programit arsimor, si mësues të gjuhës angleze. Ata do t’u ndihmojnë mësuesve të Shtimes, Rahovecit, Suharekës e vendeve të tjera.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha see Korpusi i Paqes paraqet përpjekjet e SHBA-ve për paqe në botë.

““Vullnetarët e Korpusit të Paqes paraqesin një partneritet midis vendeve tona, për të ndërtuar një themel të mirëkuptimit mes dy vendeve. SHBA-të janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të mëdhenj të popullit të Kosovës. Nuk ka manifestim më të prekshëm të SHBA-ve për të shtrirë dorën e mirësisë sesa prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Qëllimi është që të ndihmojmë popujt ku shërbejmë, t’i njohim ata si dhe popujt të dinë për Amerikën. Në ambasadën time i kemi disa përfaqësues të Korpusit të Paqes, dhe jeta e tyre ka ndryshuar në këtë shërbim. Ju shpreh mirënjohje familjeve që kanë qenë mikpritëse të këtyre vullnetarëve. Kam mësuar shumë gjatë dy viteve të mija këtu në Kosovë edhe ju do të mësoni”, tha Delawie.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant, tha se 35 vullnetarët e rinj do të ballafaqohen me sfida të reja dhe me një kulturë të re.

“Ne jemi sot këtu që të shohim 35 amerikanë që marrin detyrën për të jetuar larg shtëpive të tyre, larg familjes dhe miqve. Detyra e tyre është që të kuptojnë sfidat, rregullat e ndryshme dhe falë Zotit makiatot shumë të shijshme”, ka thënë Grant.

Ministri në detyrë i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë Arsim Bajrami, duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë 35 vullnetarëve amerikan, tha se nëse vazhdon të jetë ministër i arsimit do t’u ofroj atyre kontrata të përhershme pune si mësues të gjuhës angleze.

Ndërsa, vullnetarët u shprehën falenderues për familjet nikoqire.

“Për neve sot është një ditë emocionuese, ne po shkojmë duhet të themi mirupafshim. Ne sot kemi dy shtëpi dhe dy familje”, ka thënë Rachel Wirt.

‘’Kur doja të bëja diçka babi im në Kosovë më thoshte jo vetëm sepse bashkë është më mirë. Ne këtu jemi amerikanë, por jetojmë bashkë me komunitetin dhe familjet kosovare. Amerika dhe Kosova bashkë,  babi im ka të drejtë, sepse bashkë është më mirë”, ka thënë Maxwell Gruber.

Në vitin 2014, në Kosovë ka ardhur grupi i parë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

Presidenti John F. Kennedy themeloi Korpusin e Paqes me anë të një urdhri më 11 mars 1961.

Share.