Banorët e lagjes ‘’Ademi’’ në Zllatar kërkojnë asfaltimin e rrugës

0

Banorët e lagjes “Ademi”, në fshatin Zllatar të Ferizajt, nga tani e kanë dertin se si do ta kalojnë stinën e vjeshtës, e të dimrit për shkak të rrugës e cila është thuajse e pakalueshme, e me afrimin e këtyre stinëve ajo do të bëhet edhe më e vështirë për qarkullim.

 “Rruga siç po shihet është katastrofë, bjen borë sun dalim hiç, ka pasur raste kur të sëmurin e kemi bart në këmbë deri tek rruga e asfaltune, edhe uji e prish, verës bëhet pluhur, një shi me ra e bart zallin krejt, me shtru vetë s’kemi mundësi, kështu që tmerr është, na kanë premtu me asfaltu, por premtime sa dush, punë hiç”, tha Basri Ademi.

“Kjo rrugë nuk është e mirë, dimrit nuk mund të dalim hiç, verës kur po bie shi po e bart këtë pak zall që e ka, mirë ka qenë me shtru pasi po është shumë vështirë me qarkullu në këtë rrugë”, tha Ramadush Ademi.

“Kjo rrugë ka nevojë me u asfaltu qarkullon vazhdimisht, po prishet edhe më shumë nga uji, sidomos kur të bie borë nuk dalim hiç”, tha Halim Ademi.

Përfaqësuesi i këtij fshati Xhevat Sallahu, tha se ka bërë kërkesë në organet komunale për rregullimin e kësaj rruge, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë.

“Për banorët është shumë vështirë, po shihet gjendja e kësaj rruge, sa herë që bie shi kjo më shumë dëmtohet, një kërkesë ua kam drejtuar organeve komunale, Drejtorisë së Infrastrukturës dhe Zyrës së Kryetarit më 7 korrik, i kam dërgu edhe pamje të rrugës, por deri tani nuk janë përgjigjur dhe nuk kanë marrë asnjë masë edhe pse komuna po asfalton lagje në fshatra e qytet, edhe pse e kam lajmëru për këtë gjendje siç duket kryetarit i ka humbur busulla se nuk është duke e pa gjendjen faktike ku ka nevojë dhe të reagohet që këtyre qytetarëve t’u rregullohet qarkullimi”, tha Xhevat Sallahu.

Në këtë lagje jetojnë afër 100 banorë, ndërsa rruga e cila po kërkohet të asfaltohet është e gjatë afër 1 kilometër. Përveç kësaj u tha se në gjendje të njejtë janë edhe disa rrugë tjera në këtë fshat.

Share.