Aliu e Svarqa konsiderojnë se qeveria PAN-AKR nuk do të ketë jetëgjatësi

0

Marrëveshja e fundit mes PAN-it dhe Aleancës Kosova e Re, nuk mbeti  pa u komentuar as në Ferizaj. Liderët lokal presin që më në fund të krijohen institucionet, pavarësisht dëshirave e vlerësimeve për këtë bashkim partish. Agim Aliu nga PDK-ja e Ferizajt, këtë marrëveshje e quajti të rëndësishme dhe në dobi të qytetarëve të vendit, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur.

“Marrëveshja që është bërë mes PAN-it dhe AKR-së është një tregues i qartë dhe është marrëveshje që i kapërcen caqet e një marrëveshje normale politike, sepse është një marrëveshje që është bërë me kompromise të mëdha të partive fituese, por në esencë duhet vlerësuar se fundja fundit ka për qëllim zhbllokimin e jetës institucionale, pasi që Kosova është tepër e vogël me probleme të mëdha dhe nuk e ka luksin të qëndroj idiferente ndaj një grumbulli kaq të madh të problemeve”, tha Aliu.

Ndërsa, kreu i LDK-së në Ferizaj Muharrem Svarqa, konsideron se ky veprim i AKR-së duhet respektuar, sepse i takon dëshirës së subjektit politik. Ai tha se pas kësaj marrëveshje ndoshta Kosovës do t’i hapen rrugët për krijimin e institucionet pas zgjedhjeve të fundit.

“Realisht vota ka diktuar që ky koalicion të jetë në këtë gjendje çfare ka qenë, liderët e AKR-së kanë vlerësuar  në mënyrë të tillë veprimin e tyre dhe ne s’kemi asnjë rezervë ndaj tyre. Është çështje krejtësisht autonome e tyre. Unë kam prirje pozitive që të gjitha përpjekjet do të bëhen për qëllime të mira dhe më në fund ato do të shihen se çfarë reflektime do të ketë në nivel qendror, megjithatë tri blloqet që kanë qenë të krijuara në zgjedhjet nacionale kanë krijuar edhe një ngurtësim të partive të vogla politike për bisedime rreth koalicioneve të mundshme. Unë e konsideroj si një përpjekje për një shtendosje”, theksoi Svarqa.

Se sa do të ketë jetë të gjatë qeveria e re që do të formohet nga PAN-i dhe AKR-ja,  Aliu e Svarqa, kanë mendime të ndryshme, por që të dy shprehen të bindur se ata nuk do ta kryejnë një mandat të plotë.

“Fatkeqësisht nuk mendoj se do të ketë jetë të gjatë, do të duhej të kishte jetë të gjatë çdo qeveri që del si rezultat i zgjedhjeve, por unë konsideroj se është larg projektit nacional për të pas një qeveri të shumicës shqiptare që nuk do të ndikohej ose kushtëzohej nga vota e përfaqësuesve të vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, megjithatë liderët që kanë marrë përsipër formimin e qeverisë e kanë  vlerësuar  të tillë dhe unë i respektoj”, tha Muharrem Svarqa.”

“Unë mendoj se kjo qeverisje dhe ky legjislacion do të duhej që të merrej shumë shpejt me një dinamikë shumë të shpejt dhe proces kredibil të ndryshimit të legjislacionit zgjedhor, pa u bërë ndryshimet e duhuara kushtetuese, pa u ndryshuar vetë cikli zgjedhor ku do të dihet qartë mandati politik i secilit fitues të zgjedhjeve, unë mendoj se nuk do të duhej të përfundonte ky mandat, sado që është e vështirë që kjo qeverisje të shkoj në mandat të plotë për vetë faktin e mënyrës së bërjes së marrëveshjes”, tha Aliu.

Agim Aliu i PDK-së dhe Muharrem Svarqa i LDK-së, mendojnë se marrëveshja e mbrëmshme mes PAN-it dhe AKR-së, është përpjekje që vendi të mos shkoj në zgjedhje të reja.

Share.