Ferizaj pa asnjë ministër në qeverinë e re

0

Përbërja e re e Qeverisë së Kosovës edhe kësaj radhe e përjashton komunën e Ferizajt nga përfaqësimi. As në këtë mandat nuk ndodhi që ferizajasit ta zënë vendin e ndonjë ministri në qeveri. Kjo që po ngjanë duket shumë e rëndë për lidershipin ferizajas, ndërsa një pjesë të fajit ata ia hedhin vetës. Drejtues të partive politike në Ferizaj, që në nivel qendror do ta udhëheqin shtetin, po arsyetohen se kësaj radhe ishte edhe situata e tillë që e ngulfati këmbënguljen e ferizajasve.

“Rrethanat politike që është ndërtuar ky koalicion ka bërë që sërish të sakrifikohet Ferizaj në përfaqësimin meritor çfare i takon. Ne si degë e PDK-së në Ferizaj jemi tërësisht të pakënaqur me formën e përfaqësimit, e dimë se si është ndërtuar ky koalicion, i dimë numrat edhe zgripsin e numrave që do të ketë kjo qeveri, por sërish rimendojmë që niveli qendror dhe përfaqësuesit tanë u dashtë të jenë më të vëmendshëm në këtë drejtim. Presim që do të ketë përfaqësime edhe në nivele të tjera, por që kjo gjendje duhet të trajtohet urgjent nga niveli qendror, ndoshta mund të jetë pjesë edhe e fajit tonë që ne si degë s’kemi bërë presion të mjaftueshëm që të kemi përfaqësim çfare na takon”, tha Gazmend Bytyçi.

Ndërsa, Xhavit Zariqi i AAK-së, po thotë se ferizajasit janë fajtorë që në qeverinë e re s’ka ministra të këtushëm. Madje ai thotë se këtë gjë as që e meriton lidershipi i kësaj komune.

” AAK-ja nuk ishte partia që detyrimisht do ta detyronte kryetarin e saj për të pas përfaqësim sepse nuk ishte aq sa pritej e përfaqësuar me vota në zgjedhjet e fundit. Premtime ka pas, por edhe përpjekje, por që ishte një rreth shumë i ngushtë dhe unë kam qenë ai që kam lëshuar pe, mos të ketë ngecje dhe polemika rreth zgjedhjes së kryeministrit. Ndryshe ne si Ferizaj as që e kemi merituar, subjektet më të mëdha në Ferizaj asnjëherë s’janë përfaqësuar, por që përgjegjësia u takon edhe votuesve të  këtushëm. Si duket ne ferizajasit nuk e duam vetvetën, pastaj nuk na duan as të tjerët”, tha Xhavit Zariqi.

E derisa përbërja e re e Qeverisë së Kosovës nuk posedon asnjë ferizajas, në Kuvendin e Kosovës nga kjo komunë janë 5 deputetë. Tre prej tyre vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës. / TELEVIZIONI TEMA /

Share.